"...Poezitë e Tabakut, në "bir' i fllanzës" të pasura me forma, figura, e leksik të bollshëm e të këndshëm, të cilin më së shumti autori e vjel nga areali gegë." - Imer Topanica (shkrimtar)
"Nëse një ditë do të jem larg Shkodrës, kam më lexue vetëm poezitë e Xhabirit, sepse aty asht Shkodra..." - Arjola Zadrima (poete)
"...Mbas vëllimit poetik "Gri", Xhabir Tabaku vjen rishtas me një vëllim tjetër "bir' i fllanzës". Me atë leksik të ëmbël geg, një pasuri kulturale që shqipja mund të mburret. Ashtu sikur lumturohet edhe ky autor kur thotë plot gaz, 'ma kush s'më ndal / e shkruej si due vet'/ se Zoti më ka fal/ për mu' me vajz' e djal'." - Ilir Levonja (shkrimtar)
"Para veprave artistike të arrira duket sikur gjykimet dhe analizat janë të panevojshme. Megjithatë, në rastin e këtij vëllimi poetik na duket me vend të nënvizojmë disa aspekte që kanë të bëjnë me veçoritë e një krijuesi tashmë shumë të spikatur dhe thuajse në një stad të epërm të krijimtarisë së tij. Pas një leximi të vëmendshëm të këtyre poezive është e kuptueshme se kemi të bëjmë me një arsenal poetik të një niveli të lartë. Ky produkt artistik vjen në periudhën e një pjekurie estetike dhe akumulimi të madh kulturor e filozofik, duke u bërë pasqyra e një shpirti të thellë e tejet të ndjeshëm dhe e impulseve të fuqishme të frymëzimit." - Zija Vukaj